1.Mjetet e punës
Përshëndetje!
Si kisha njoftuar në postimin e mëparshëm,po e nis shtjellimin e të dhënave të përgjithshme mbi punën që qendron pas realizimit të një tregimi pamor (ose ilustimi),me paraqitjen e mjeteve të punës.
Në pamjet që shoqerojnë këtë artikull,mund të shihni disa prej mjeteve që zakonisht përdorin vizatuesit kudo nëpër botë,pavarësisht nga stili ose teknikat e zgjedhura.Në fakt nga pakujdesia kam harruar dy a tre mjete,si për shembull prerësja e lapsave,rrjetet e gatshëm,bisturia dhe furça e dhembëve(këto dy të fundit përdoren dendur për efekte si në bojatisje me kinë dhe në ngjyrosje).Më tej,gjatë provave të drejtëpërdrejta të teknikave të vizatimit,do t’i përdor direkt këto mjete ,për të treguar efektet konkretisht gjatë punës.
I. Lapsat e vizatimit bazë ,ndahen në varësi të llojit të majës dhe zakonisht ,mbi vetë lapsin mund të dalloni këto shkronja:
H – majë e fortë
B – majë e butë
F – majë e hollë
Numri përkrah shkronjës,tregon masën e rrezes së zemrës së lapsit në milimetër. Më të përdorëshmet janë tipi H dhe B.I pari ka majë të hollë dhe përdoret për skica dhe layout nëse mbahet dora lehtë,ose edhe për ngjyrosje nëse shtrëngohet më tepër mbi fletë.Lapsi B është më i butë,përdoret me më pak forcë dhe është i dobishëm për studime ose dritë-hije.
Shumë vizatues,sidimos mangaka,parapëlqejnë të përdorin në vend të lapsave,”mbajtës majash”,që punojnë në të njëjtën mënyrë si lapsa të zakonshëm, por pa patur nevojën e mprefjes së majës,janë më të përshtatshëm për detajet e imta.
II. Gomat për fshirje janë nga më të ndryshmet,e pak a shumë,të gjitha llojet që gjenden të treg janë të përshtatshme për një punë përgatitore të paqme.Mund të priten në pjesëza nëse janë shumë të mëdha,për të rregulluar më lehtë detajet,gjithashtu mund të lahen shpesh pa probleme nëse pas një pune të gjatë (sidomos me lapsa B),janë ndotur shumë.Në foton e mëposhtme mungon goma e bukës (copëza që përdor për çastin është mikroskopike 😄),shumë e dobishme për përgatitjen e layoutit dhe rregullimin e pak detajeve pa e fshirë shumë vizatimin përgatitor.
III. Penelat që përdoren për një tregim pamor janë të ndryshëm.Ai më kryesori,bashkë me penën klasike,është peneli për bojatisje. Bashkë me lapsin,gomën dhe bojën e kinës,janë në mënyrë absolute mjetet bazë të një ilustruesi.Në imagjinatën e të gjithëve ne dhe në traditën mbi shekullore të tregimit pamor,fleta tipike e historive të tilla, është gati gjithmonë bardhë e zi, me shumë ose pak detaje në bazë të stilit, por përherë e bojatisur me kinë.Mbi një fletë të mirë pune (si Canson mangabook për shembull ,250 g/m2 ),baza e penelit (penës) e bërë me kinë,është e përshtatshme dhe mban më së miri edhe ngjyrosjen me akuarel dhe ecoline,pa e njollosur ose prishur fletën e punës.
Penelat e tjerë,me kokë të drejtë ose me majë,si ata klasikë dhe ata me rezervuar uji,janë më të përshtatshëm për ngjyrosje ,si me akuarel,ecoline dhe me akrilik , pastel.Mund të përdoren edhe për të hapur bojën e kinës sipas efektit që duam t’i japim punës,duke mbajtur gjithmonë parasysh llojin e fletës që kemi vendosur të përdorim.
IV . Sfungjeri,ashtu si bisturia dhe furça e dhembëve,janë mjete “rrethanore”,që përdoren prej artistëve për të krijuar pjesërisht efekte të ndyshëm mbi fletën e punës.Disa herë, mund të jenë edhe mjeti i vetëm i punës në vend të penelave dhe lapsave,por këtë do ta shtjelloj më tej kur të flas për historikun e tregimit pamor dhe artistët që më tepër kanë lënë shenja në shekullin e fundit.
Në këtë foto,përveç rapidografëve që kanë një funksion të ngjashëm me atë të penës me kinë (shumë të përdorur për detajet e holla nga të gjitha rrymat e tregimit pamor),kam rreshtuar disa lloje të ndryshëm mjetesh ngjyrosjeje.
Zakonisht pantonët dhe kopik,janë baza të përkryera për shumë stile.Mund të përdoren vetëm si flat colors (ngjyra të pjatëta),ose të pasurohen me detaje me pastela,akrilikë ose karbotela (teknikë e përzjerë).Këta të fundit,ashtu si karboni dhe shkumësat,përdoren për ngjyrosje në mënyrë shumë të frytshme, sidomos mbi fletat origjinale të punës(edhe pse përdorimi më i shpeshtë është ai i ilustrimeve sesa i tregimit pamor).
Fleta e punës është llogjikisht edhe baza e punës së një artisti të tregimit pamor.Zgjedhja paraprake e llojit të fletës,ndikon në mënyrë të dukshme punën përfundimtare dhe cilësinë e faqes në rast botimi.Personalisht nuk përdor kurrë fletë pune që kanë një gramaturë më të paktë se 200-250 g/m2.Teknika ime është e përzier dhe bëj zakonisht një gjë që artistët e tregimit pamor shmangin të bëjnë si vdekja:ngjyrosja direkt në origjinal.Kjo gjë është mjaft e rrezikshme, sidomos kur nuk zotëron ende teknikat bazë të këtij zhanëri e kur ende nuk njeh mirë as vetë cilësinë e punës vetjake. Ndershmërisht,prej vitesh,jam gjithmonë në ankth kur punoj mbi një projekt,sepse deri në çastin përfundimtar( të firmës në fund të faqes),nuk e di nëse puna që kam ndër duar do jetë e paqme apo për tu hedhur, me rrezikun që të më duhet të nis një punë disa ditore nga e para.
Pra,për projekte përfundimtare ju këshilloj të përdorni sa të mundni fletë të përshtatshme ,që mbajnë mirë si bojën e kinës dhe ngjyrat (nëse i përdorni),ndërsa për skica,layout,studime personazhesh,edhe fletore të zakondëshme vizatimi ose fletë protokolli (fotokopjeje),janë të mjaftueshme.Gjithësesi,para se të nisni bojatisjen e një flete pune përfundimtare,gjëja më e mirë do të ishte të bëheshin provat e bojës dhe të ngjyrave në një fletë më vete,identike me atë të punës ,për të gjykuar efektin që do ketë më pas.