5.Skenari

Përshëndetje!

Duke rilexuar artikujt e parë të Albcomicstoon,më erdhi paksa dyshimi se ndoshta duhet të kisha nisur me “Skenarin”,baza e çdo historie të zhvilluar me sekuenca,qoftë në artin skenik dhe në atë pamor.Më mirë vonë se kurrë😊.

Nis fillimisht me premesën që ai i tregimit pamor,është një zhanër artistik i mbështetur në shumë disiplina arti.

Kemi së pari skenarin,historia që duam të tregojmë, e ndarë në dritare me sekuenca pamore,dialogë dhe onomatope.Vijojnë studimet e personazheve dhe sfondeve,storyboardi dhe layouti,përgatitja me laps e bazës së kafazit të vizatuar skenë pas skene,bojatisja dhe ngjyrosja( nëse është e nevojshme) e së fundi, letteringu (caktimi i hapesires së shkruar në kafaz) dhe kopertina.Zakonisht të gjitha këto faza të hartimit të një tregimi pamor,kryen nga figura të veçanta,si për arsye kohe dhe aftësie.Rrallë herë(veçse në rastin e prodhimeve vetjake e të vetëbotuara e shpesh artizanale),ndodh që i njëjti artist i bën vetë të gjitha këto faza artistike.Në industrinë botuese të tregimit pamor,si për shoqeritë botuese më të famshme dhe ato më pak në zë,krijimi i tregimit pamor është punë grupi,ku secili pjesëtar(një ose më shumë se një),është përgjegjës për një fazë të caktuar të krijimit.Secili prej nesh,pavarësisë nga talenti artistik që mund të kemi në përgjithësi, është më i aftë në një disiplinë sesa në një tjetër. Nëse doni t’i kushtoheni seriozisht këtij zhanri artistik,ju këshilloj sinqerisht të viheni në kontakt me artistë të ndryshëm të interesuar për të njëjtën rrymë ,e të krijoni një grup pune për të vënë bashkë aftësitë përkatëse.Kur të keni përfunduar një projekt të përbashkët pas ndjekjes së kësaj mënyre pune,do vini re ndryshimin e cilësisë përfundimtare krahasuar me atë që ndoshta fillimisht bënit vetë.

Kalojmë konkretisht në shtjellin e tematikës.

Skenari i aplikuar tregimit pamor është tre llojësh:

1.italian

2.amerikan

3.storyboard

Modeli i parë, i quajtur skenar italian,ndan fleten e punes në dy kolona.Në kolonën e parë shkruhet veç e veç çdo gjë që gjallon dritaret e një flete pune,mundësisht me përshkrime të hollësishme për vizatuesin dhe ngjyruesin. Në kolonën e dytë gjenden dialogët,onomatopetë,didaskalia.Ky sistem dykolonësh bëhet faqe më faqe,të numëruara nga vetë skenaristi për të udhëzuar vizatuesit si do jetë saktesisht ecuria e punës hap pas hapi.

Modeli i dytë,ai amerikan,ka një paraqitje krejt tjetër. Shkrimi është i vazhdueshëm.Në një fletë të vetme gjejmë të përshkruar çdo veprim dhe dialog,didaskali dhe onomatope,të prirë nga një ose më shumë iniciale të gjuhës së skenarit,që lejon ndarjen në dritarëze të fletës së punës dhe tipin e inkuadrimit përkatës.

Modeli i tretë,i sajuar gati si një storyboard kinematografik,është ndoshta ai më i përshtatshmi që lejon komunikimin më lehtë mes skenaristit dhe vizatuesve.Për tu realizuar është e nevojshme ndopak aftësi vizatimi nga ana e skenaristit,qoftë edhe skica bazë jo shumë të detajuara, të shoqeruara nga dialogë,didaskali dhe onomatope,në vendin ku duhet të jenë në produktin përfundimtar.

Skenari-storyboard kur mbërrin në duart e vizatuesve,është i ngjashëm me një layout ende në përpunim.

Një tjetër këshillë e përzemërt që ju jap,është të lexoni sa më shumë,jo vetëm letërsi artistike por edhe skenarë,si kinematografikë edhe ata të lidhur me botën e tregimit pamor.Fatmirësisht në rrjet mund të gjenden shumë shembuj që lejojnë konsultimin e lirë.Në këtë mënyrë e keni më të lehtë edhe përvetësimin e xhergut të përdorur në skenar.Një tjetër aktivitet që ndihmon shumë skenaristin në punën e vetë,është parja e sa më shumë filmave dhe serialëve televizivë.Profesorët e mi këshillonin vetëm ndjekjen e filmave dhe serialëve cilësorë,por personalisht mendoj se edhe ndonjë produkt më naiv dhe i realizuar pa shumë pretendime është i nevojshëm. Arrini kështu të dalloni që me vështrimin e parë ndryshimin mes një pune të bërë mirë dhe një skenari “të keq”, që do t’ju shmang ne krijim e siper përsëritjen e gabimeve trashanike dhe aspak koerente që gjenden në produktet pamor që shohim dendur.

Lexoni sa më tepër,jo vetëm punë të artistëve të tjerë,por edhe atë që sapo keni shkruar ju vetë:lexoheni me zë të lartë, me dialogë dhe përshkrime,me intonacionin dhe pushimet që mendonit që mund të kishte gjatë fazës së shkrimit.Lexohëni nëse keni mundësi edhe para një publiku,familjarë,miq,për të kuptuar reagimin që mund të ketë lexuesi në të ardhmen duke lexuar punën tuaj.

Kalojme konkretisht ne nje seri rregullash praktike per hartimin e skenarit te nje tregimi pamor:

Së pari duhet të hartojmë subjektin e historisë së zgjedhur, në të tashmen,i ndarë në një ose më shumë kartela.Çdo kartelë përmban 1800 karakter.Përveç subjektit duhet të hartojmë regjinë,një përmbledhje e historisë që përgatitemi të vizatojmë.Këtu sajimi i regjisë bëhet më specifik se subjekti.Duhet tu përgjigjemi disa pyetjeve që na ndihmojnë të kemi parasysh kuadrin e përgjithshëm si për shembull :si?,pse?,kush?,kur?personazhet dhe ngjarjet sillen në një farë mënyre.Kemi qysh në fillim idenë e zhvillimit të historisë, inkuadrimet e mundshëm dhe përfundimin e historisë,ndarjen e dritareve të kafazit të punës.

Duhet bërë kujdes me këto të fundit në bazë kërkesave të shtëpive botuese.Kujdes të veçantë edhe për vendosjen e dritareve,ajo që hap faqen e tregimit e ajo që e mbyll, lidhjen e skenave me njëra tjetrën, mundësisht mbyllja e faqes me një cliffhanger për të mbajtur pezull kureshtjen e lexuesit.

1.Në rastin konkret,duket qartë se fleta e parë e shëmbullit është punuar pa një skenar të mirëfilltë, thjesht duke ndjekur vetëm përshkrimin e regjisë së historisë.Inkuadrimet janë të përgjithësuara e nuk lidhen mirë mes tyre për të krijuar ndjesinë e vazhdimësisë së tregimit.Hapësirat mes dritareve/bordurës së fletës ose vendi i dialogut nuk janë llogaritur aspak.Këndi i inkuadrimit të skenës përfundimtare,vendndodhja e personazheve dhe kontrasti i ngjyrave,nuk krijojnë mjaftueshëm pezullim në kureshtjen e lexuesit deri në faqen vijuese.(Fig.1)

Shembulli i dytë (dhe ata te dy figurave vijuese)edhe pse më “shkollor” e skematik,përmbledh fazat bazë të krijimit të një tregimi pamor:hapësirat e duhura mes dritareve dhe bordurat përreth,llogaritja e numrit të skenave,kundërfusha mes personazheve dhe cliffhanger në fund të faqes për të lejuar leximin e shpejtë në faqen vijuese.E gjithë bazohet në një studim paraprak të skenarit.Edhe pse seria e sekuencave të veprimit është më e ngadaltë krahasuar me shembullin e parë,inkuadraturat gati njëvijëzore e të një pas njëshme në kohë,bëjnë që tregimi të rrjedh më lirshëm.(Fig.1-2-3)

Detyrë e skenaristit është gjithashtu përshkrimi i hollësishëm për vizatuesin i personazheve nga ana fizike dhe ajo e karakterit.Vëndi ku zhvillohet ngjarja shkruhet krejt me shkronja të mëdha në shkrimin përfundimtar të skenarit,njësoj si edhe shënimi DITË/NATË,BRËNDA/JASHTË.

Në vijim po shtoj termat që zakonisht shoqerojnë përshkrimin e veprimeve ose llojet e inkuadrimeve që përdoren në skenarin e tregimit pamor në këtë rast.

FP: figurë e plotë

PA: plan amerikan(zakonisht perfshin pjesen e trupit nga gjuri e siper,ne inkuadrim pak kendor,gati nga posht-lart,si ne rastin e historive me superheronj).

PMt: plan i mesëm i trupit (nga mesi e lart).

PP: plan i parë (vetëm koka dhe shpatullat ).

PPP:plan i parë i parë (detaj i fytyrës).

DT: detaj i trupit

PM: plan i mesëm (nga rreth 30 m largësi ndërsa “kamera” i afrohet personazhit/sendit kryesor.

PGj: plan i gjatë (inkuadrim i njerëzve/sendeve shumë të largët)

PShGj: plan shumë i gjatë (inkuadrim i peisazhit ku zhvillohet historia. Përdoret zakonisht për hapjen e një historie si dritare fillestare).

PS: plan sekuence(inkuadrim i gjatë. Shkon nga një anë e skenës tek tjetra,me sekuencë të vazhdueshme të së njëjtës skenë).

PPa:pamje panoramike (inkuadrim i gjatë bërë duke rrotulluar rreth boshtit të vetë kamerën,nga një cep i skenës tek tjetri.

Montazh i alternuar: inkuadratura që gërshetohen vazhdimisht gjatë tregimit për ta gjalluar më tepër historinë.Mund të alternohen edhe flashback dhe fast forward për të krijuar më tepër suspancë.

Kuinta: inkuadrimi i personazhit ose sendit bërë pas shpinës së një personazhi/sendi tjetër.Përdoret mjaft gjatë dialogëve.

Subjektiva: inkuadrimi nga pikëvështrimi i një personazhi ose sendi të animuar,i rëndësishëm për tregimin e historisë.

Kundërfusha: lloj montazhi i përdorur për dialogët nga pikëvështrimi subjektiv ose gjysmë subjektiv.Kamera kalon nga njëri personazh tek tjetri,për t’i thënë më tepër ritëm skenës.

Rispondi

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo di WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione /  Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione /  Modifica )

Connessione a %s...