Përshëndetje!
Në përgatitje e sipër të pjesës së dytë të artikullit mbi kafazin e punës së tregimit pamor ,duke dashur ta ilustroj më tej me një video të shkurtër shpjegimin konkret të hartimit të një skice (layout) dhe kalimin në fletën e punës përfundimtare (lineart),mu desh të ndalesha e të shkruaja më parë dy fjalë mbi “tryezën me dritë”.
“Tryeza me dritë” e përdorur nga ilustruesi/vizatuesi,s’është gjë tjetër veçse tryeza e përdorur dendur nga arkitektët dhe inxhinierët(sidomos para lindjes së programeve Cad në keta 20 vitet e fundit),por në version më të vogël.Më tepër se tryezë është e ngjashme me një Pad dhe ky është emërtimi që i bashkangjitet zakonisht në treg.Është një nga mjetet më të domosdoshëm për vizatuesin e librit pamor,sepse ndryshe nga piktorët e mirëfilltë që zakonisht punojnë mbi origjinalin e veprës së tyre e në rast “gabimesh” ose ndërrimesh gjatë punës,mjaftojnë korrigjimet me bojra vaji ose akrilik,vizatuesi rrallë herë punon mbi skicën orijinale.Duke qënë për më tepër tregimi vizatimor një seri fotogramesh që tregojnë një veprim të një pas njëshëm e të vazhdueshëm në kohë,sidomos pa një studim të thellë të personazheve ose sfondeve që e gjallojnë,është vështirë të mbahet e njëjta dorë nga fillimi në fund.Për të shmangur ndryshimin e fizionomisë së personazheve nga një dritare në tjetrën dhe sidomos për të mos rrezikuar të prishim skicën origjinale me një bojatisje (inkiostrim) ose ngjyrosje të papërshtatshme,del e nevojshme “tryeza me dritë “.
Koncepti bazë është ai i dritares së përdorur dendur nga fëmijët për të kopjuar pamjet që pëlqejnë, ose ai i tryezës së punës së arkitektëve, por në një format më të rehatshëm për përdorimin e përditshëm.
Padi me dritë që përdor unë vetë është një nga më të thjeshtët ,të përdorur edhe në shkollat e tregimit pamor,një Slopehill A4 LED 310×210 mm.Kushton rreth €30 i konsideruar nga më ekonomikët,pasi shpesh gjendet edhe me çmim poshtë €20 .
Qëllimi i Albcomicstoon megjithatë është ai i vënies në dispozicion të njohurive të shkollave comics krejt falas,mundësish edhe ai i mjeteve të punës alternative sa më pak të kushtueshme.

“Tryeza me dritë ” e ilustruar me fotografi më poshtë, është e njëjta që ndërtova vite më parë kur nisa studimet për ilustrim e comics.Edhe pse në pamje nuk entuziasmon shumë,punën e bën në të njëjtën mënyrë si Padi me dritë që shitet në treg,por me një çmim shumë të ulët materiali(ose edhe pa çmim fare nëse përdorni sende të ricikluara).
Për ata që duan ta ndërtojnë vetë udhëzimet janë shumë të thjeshta.Në rastin e mëposhtëm, është përdorur një tabaka druri 40×30 cm(mund të jetë edhe më e vogël,30×20 për shembull ).Nëse doni ose keni mundësi ta krijoni nga hiçi me dërrasa ,kini parasysh që thellësia e kutisë dyhet të jetë rreth 3-5cm,për të patur hapësirë për dritat e vëna brenda.Kapaku është një copë plexiglass i bardhë,por edhe një material plastik çfarëdo, qoftë krejt i tejdukshëm me trashësi 2-3mm ,është i përshtatshëm për të mbuluar kutinë si sipërfaqe pune.Për ta përdorur si kapak që hapet e mbyllet lehtë,vihen dy percina të vogla për kutiçka druri,me pak ngjitës ose vida të vogla.
Dritat led brënda kutisë janë të gjata 35 cm e pak të mëdha si formë(sepse ishin ato më ekonomike atëherë ),të vëna në qender të kutisë për të përfituar nga dy vrimat anësore për të kaluar kabullin.Nëse keni mundësi të përdorni një ose dy shirita me led më të pjatëtë,kini parasysh të llogarisni mirë vendin ku do të ngjiten dhe sidomos atë ku do kaloj kabulli.Në rastin tim dritat nuk i ngjita por i krijova një folezë bllokimi në qendër ,ku i vija gjatë punës dhe i hiqja kur s’e përdorja për vizatim por edhe si mbajtës mjetesh bazë pune (fletë vizatim,kuti me lapsa,goma ,rapitograf etj).
Shpresoj që kjo intermexo e shkurtër të mund të ketë qenë e vyeshme ,pasi flitet për një mjet pune i domosdoshëm gjatë krijimit të tregimit pamor.Së shpejti me pjesën e dytë të “kafazit të punës” dhe shpjegimin konkret të hartimit të një flete nga skica në punën përfundimtare.